Pas shpërthimit në konferencë një ditë më parë, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, ka kaluar te veprat. Në prag të ndeshjes me Udinese-n, tekniku kuqezi, ka vendosur të ulë në stol tre titullarë.

Bëhet fjalë për Rafael Leaon, Tammy Abraham dhe Fikayo Tomori. Këta dy të fundit, ishin protagonistë ndaj Fiorentinës, te penalltia e dytë, duke ia marrë Pulisic-it, për ta gjuajtur sulmuesi Abraham.

Kjo nuk është pritur mirë nga trajneri Fonseca, që ka vendosur t’iu tregojë stolin. Nga pankina do e ndjekë ndeshjen edhe Rafael Leao, i cili gjatë grumbullimit te Portugalia, bëri deklarata të çuditshme, që u panë si thumba ndaj trajnerit.

Sa i përket formacionit, Maignan do të jetë në portë, me Emerson Royal në të djathtë të mbrojtjes dhe Terraciano në të majtë, në vendin e Theo Hernandez të skualifikuar.

Në qendër do të luajë Gabbia, ndërsa Pavlovic zëvendëson Tomorin. Nuk ndryshon mesfusha, me Fofana dhe Reijnders. Në sulm, Morata do të jetë në qendër, me Pulisic pas tij, ndërsa në të majtë Okafor dhe në të djathtë Chukwueze. /tvklan.al