Sot më shumë se asnjeherë këshillat dhe informacionet e sakta nga mjekët janë mëse të nevojshme në këtë kohë pandemie globale. Ndaj, Telekom dhe UNDP Shqipëri kanë nisur një fushatë online, e cila vjen me emrin “#PerhapFjalenJoVirusin”. Një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese për publikun e gjerë, në lidhje me COVID-19.
Në një lidhje në Skype, për programin “Rudina”, në Tv Klan për të folur për këtë fushatë ishte mjeku pneumolog, Arjan Mezini.
Synimi i fushatës është që publiku të informohet nga burime të sigurta, për të shmangur pasojat negative nga informacionet false.
Arjan Mezini: Kjo është një fushatë ndërveprimi midis UNDP Shqipëri dhe Telecom Albania, gjithë informacioni që adoptohet është kryesisht informacioni në lidhje me situatën e pandemisë nga COVID-19 dhe informacioni që adoptohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sigurisht është një situatë pandemie dhe çdo informacion është i vlefshëm, por duhen informacione shumë të besuara dhe informacione totalisht profesionale. Logo është përhap fjalën dhe jo virusin. Që do të thotë përhap fjalën, të këshillojmë njëri-tjetrin si duhet të sillemi, masat higjeno-sanitare që duhet të marrim, kur kemi të sëmurë, çfarë këshillash duhet të marrim. Të bëjmë sa më të mundur depërtimin e përhapjes së virusit, që do të thotë që secili nga ne të bëhemi një barrikadë e vogël, ku të gjithë të bashkuar të bëjmë atë barrikadën e madhe, për të penguar përhapjen e këtij virusi për të ruajtur shëndetin tonë në radhë të parë dhe sigurisht të ruajmë jetën.
Si pjesë e qëllimit për të informuar publikun, kanë vënë në dispozicion të publikut edhe rubrikën e pyetjeve drejtuar doktorit. /tvklan.al