Vlerësohet për bukuritë natyrore, gastronominë dhe historinë e pasur

Pas prestigjozes franceze “Voyages et Tourisme” është revista “Grazia” e cila sjell në vëmendje qytetin e bukur të Gjirokastrës si destinacionin që duhet vizituar nga të huajt.

Ky qytet shtrihet në majat e Malit të Gjerë, në jug të Shqipërisë. Qyteti karakterizohet nga shtëpi karakeristike dhe për këtë arsye është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Qyteti historik i Gjirokastrës është një shembull i rrallë i një qyteti të stilit osman të ruajtur mirë, i ndërtuar nga fermerë që zotëronin prona të mëdha, rreth kështjellës së shekullit të XIII.

Përveç bukurisë së saj, Gjirokasta konsiderohet si një nga qytetet e pakta në botë, e vendosur në shpatet e pjerrëta të një mali, kështu që shëtitjet janë shumë të këndshme, por kërkojnë edhe pak mundim. Ndër të tjera në artikull theksohet se në të ka shumë ndërtesa të vjetra fetare, si një xhami e vjetër që daton nga koha e Perandorisë Osmane, disa kisha të vjetra si dhe një Bazilikë të madhe që ndodhet jo shumë larg qytetit.

Përveç pamjeve magjepsëse, kostoja e jetesës në këtë zonë të Ballkanit është shumë e lirë. Hotelet kushtojnë mesatarisht 40 deri në 75 euro për person për 5 netë dhe në këtë çmim përfshihet edhe vakti i mëngjesit. Përveç çmimeve qyteti vlerësohet edhe për kulinarinë e pasur dhe unike. Gjirokastra ofron edhe specialitetet e veta që nuk mund të shijohen askund tjetër.

Klan News