Nga dita e shtunë kur u ndalua dalja nga banesa që prej orës 13:00, në të gjithë vendin janë gjobitur 154 qytetarë të cilët kanë thyer urdhrin e qeverisë. Këta qytetarë, thotë Policia e Shtetit, janë gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra. Po kështu, në rang vendi janë pezulluar 129 patenta dhe janë bllokuar automjetet që dolën në qarkullim.

Sipas të dhënave të policisë, vetëm në Tiranë u shoqëruan 41 qytetarë pasi nuk respektuan oraret kufizuese dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për t’u futur në banesa, të cilët në përfundim të veprimeve u ndëshkuan me gjobë.

Dy persona në Tiranë janë arrestuar, konkretisht 42-vjeçari me iniciale A.R., pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për moszbatimin e urdhrit për të qëndruar në banesë, si dhe 26-vjeçari me iniciale D. T. 26 vjeç, pasi ka shkelur urdhrin për të qëndruar në banesë, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 8 gramë lëndë narkotike dhe dyshohet se përdorte një minoren për të shpërndarë lëndën narkotike.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 17 subjekte tregtare që nuk kanë respektuar orarin për mbylljen në orën 13:00 dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë 1 milionë Lekë të vjetra.

Gjithashtu, në Shkodër është gjobitur me 7 milionë Lekë të vjetra qytetari me iniciale E.Ç., i cili ka thyer rregullin e vetëkarantinimit, pasi është person i kthyer nga vendet e prekura nga koronavirusi.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19. /tvklan.al