Deputeti opozitar Kujtim Gjuzi i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos i miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor në lidhje me listat e hapura dhe koalicionet.

Ai u shpreh se palët duhet që të mblidhen sërish për të diskutuar në mënyrë që situata të mos jetë e ndezur në ditët në vijim.

“Nëse nuk do të vendosni të zbatoni kërkesat e ODIHR që kërkon komisionerë jopartiakë, kërkon marrëveshje të gjerë me opozitën parlamentar dhe jashtëparlamentare do të ktheheni në sistemin e diktaturës. Kemi propozuar 7 amandamente dhe këto për fat nuk vijnë në Kuvend. Është përgjegjësi e juaja”, tha Gjuzi.

Kuvendi pritet të votojnë sot në seancë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Pavarësisht kundërshtimit të opozitës jashtëparlamentare, shumica qeverisëse është e vendosur t’i kalojë për votim ndryshimet që sanksionojnë listë unike për koalicionet parazgjedhore dhe hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe sanksionimi në Kod i rregullit që një kryetar partie ose koalicioni të ketë të drejtën të konkurrojë në 4 qarqe.

Opozita jashtëparlamentare i ka kundërshtuar me forcë këto ndryshime, të cilat sipas saj, shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit. Për këtë ajo kërkoi që më parë të merrej opinion i OSBE/ODIHR. Kërkesë kjo që u refuzua nga mazhoranca e majtë./tvklan.al