Bazilika Paleokristiane e Elbasanit mbetet kontakti i parë historik dhe kulturor për vizitorët dhe turistët që vijnë në këtë qytet.

Bazillika ndodhet në qendër të qytetit në jug të sheshit Gensher pranë Rrapit të Bezistanit. Në veri ndodhet porta e kalasë dhe Kalaja e Skampis.

Është pikërisht ky shesh ku qëndrojnë të gjithë guidat turistike që zbresin në Elbasan.

Bazilika u zbulua në vitin 2007 me iniciativë të bashkisë Elbasan dhe që nga ajo kohë ajo qëndron e konservuar pasi nevojitet një financim i konsiderueshëm për ta ekspozuar tërësisht.

Megjithatë, në finalizim të aktiviteteve të trashëgimisë kulturore, bashkia e Elbasanit, Zyra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, organizuan një aktivitet me pjesëmarrjen e qytetarëve, nxënësve të shkollave, vizitorëve dhe turistëve.

Në kuadër të këtij aktiviteti u zbulua dhe është e aksesueshme për vizitorët edhe mozaiku, i cili do të qëndrojë i hapur për një periudhë kohe, por që sërish do të mbulohet për ta ruajtur nga dëmtimet dhe agjentët atmosferikë.

Artur Guni, drejtor i Kulturës Elbasan: Është gjykuar që të hapet vetëm kjo pjesë. Gjithësi kjo është pjesa kryesore e mozaikut.

Bashkë me Kalanë, Rrugën Egnatia, Muzeun Etnografik dhe mjaft objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, Bazilika Paleokristiane e Elbasanit është përfshirë në guidat turistike të agjensive nga mbarë bota.

Tv Klan