Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mbërrin në 10 numri i personave në pranga si trafikant fëmijësh. Operacioni i filluar një ditë më parë me arrestime nga zyra e luftës kundër trafiqeve në Durrës, bëhet e ditur se ka filluar në të njëjtën kohë me disa arrestime në shtetin fqinj Itali. Përveç punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror Ramadan Paja, në Itali janë arrestuar një ditë më parë si anëtarë të të njëjtit rrjet trafikantësh dhe Elvis Ylviu, si dhe Eqerem Kasa, shtetas shqiptar, si dhe një avokat italian.

Grupi i trafikantëve i përbërë nga elementë të SHIK-ut, madje dhe një avokat në shtetin fqinj, mendohet se ka realizuar trafikim të dhjetëra fëmijëve nëpërmjet dokumentacionit të rrem dhe kalimit me vula të vëna kundrejt ryshfeteve në pikat e kalimit në Durrës dhe në Rinas.

Prokuroria italiane po heton tashmë faktin, se ku kanë përfunduar fëmijët shqiptarë të trafikuar. Disa prej tyre mendohet se janë birësuar nga familje të huaja, por nuk përjashtohet dhe mundësia e trafikimit me qëllim transplantim organesh. 5 persona të arrestuar në Durrës, do të dalin 48 orë pas ndalimit, para gjykatës së rrethit, për të marrë masën e arrestit.

Mendohet se ky rrjet me të paktën 10 persona të implikuar në trafik fëmijësh, ka lidhje me çiftin Petalla dhe avokatin italian Marko Pelegrini, të arrestuar kohë më parë për të njëjtën vepër penale. Ndaj personave të akuzuar si trafikant fëmijësh, mund të jepet vendimi deri në 25 vjet heqje liri. Nëse trafikimi vërtetohet se është bërë për transpaltim organesh, akuza trafikim konsiderohet me pasojë vdekjen dhe dënimi mund të jetë me burgim të përjetshëm./tvklan.al