Lajme Arkiva 2003

Homazhet e fundit për kompozitorin dhe dirigjentin e njohur Ferdinand Deda janë zhvilluar në ambientet e Radio Tirana, ambiente ku mjeshtri ka punuar pjesën më të madhe të karrierës së tij artistike.

Miq, kolegë, studentë dhe familjarë kanë bërë homazhe përpara trupit të Dedës, i cili u nda nga jeta ditën e diel në një nga spitalet e Ankarasë ku kishte vajtur për të punuar. Personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, si Presidenti i Republikës Moisiu, kryeministri Nano, zëvendës kryeministria Meksi, ministria e Kulturës Dade si edhe mjaft politikanë të tjerë të spektrave të ndryshme e kanë bërë homazhet e fundit për kompozitorin.

Ferdinand Deda u nda nga jeta duke lënë një krijimtari tepër të pasur muzikore dhe mungesa e tij do të jetë e ndjeshme në artin shqiptar.

Alfred Kaçinari: Një dirigjent i papërsëritshëm, talenti më i madh në fushën e dirigjimit shqiptar. një kompozitor që ka kompozituar që nga kënga e deri në koncerte për orkestrën simfonike, një orkestrues shumë i mirë, një drejtues i palodhur aktivitetesh dhe mbi të gjitha ajo që ndiejmë më shumë që kemi punuar e të një temperament për tu lakmuar, një njeri që ka rrezatuar gjithmonë një energji te të tjerët, por ai që është më e rëndësishmja është që unë mendoj se orkestrës simofinike do ti mungojë dirigjenti.

Osman Mula: Unë mendoj se do ti mungojë në 3 drejtime artit shqiptar. Dirigjimi, kompozicioni dhe një organizator i shkëlqyer. Së fundmi, këtë e them si rezervë, ka qenë edhe një artistë me një zemër jashtëzakonisht të madhe.

Më pas trupi i Ferdinand Dedës është përcjellë për në banesën e fundit./tvklan.al