Kantautori i njohur, Kujtim Prodani ka humbur jetën ditën e sotme nga Covid-19 në moshën 57-vjeçare në spitalin Shefqet Ndroqi, ku ishte shtruar prej disa ditësh. Në datën 30 Dhjetor ai ka njoftuar miqtë dhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale se ishte infektuar me Covid-19 dhe ndodhej i shtruar në spital.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i miqve dhe ndjekësve në rrjetet sociale ku shprehin dhimbjen dhe trishtimin e madh për ikjen e tij të parakohshme nga kjo jetë.
Një ndër ta ka qenë edhe këngëtari i njohur Elton Deda i cili ka ndarë me ndjekësit dhimbjen që ndjen për humbjen e mikut të tij.
“Mossss! Pse o vëllai jonë? Çfarë gëzimi kishin bisedat me ty, mirësia jotë, zotnillëku jot, qytetari ideal. Nuk e besoj dot. Nuk të them dot lamtumirë. Por do të të pres për një birrë kur të duash ti”, ka shkruar Elton Deda.
Kantautori Kujtim Prodani ishte djali i këngëtares Anita Take dhe kompozitorit Agim Prodani. Në muajin Prill ai kishte publikuar edhe një këngë të titulluar “Ju flet Corona” me tekst nga Persida Asllani dhe të orkestruara nga Sajmir Çili. /tvklan.al