Përgjatë seancës së “Shihemi në Gjyq” Maliqi ka vijuar t’i thotë krushkut të tij, Avniut se ai nuk ka bërë celebrimin mes Erjonës dhe Lorencit. Sipas Maliqit, Avniu nuk ka pranuar që të kryhej celebrimi  në momentin që Erjona, e cila bashkëjetonte me Lorencin që prej moshës 16-vjeçare, kishte arritur në moshën madhore.

Akuzat e tij marrin një përgjigje të prerë nga ndërmjetësja e rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ajo e bën përgjegjës për faktin që ka pranuar të dorëzojë vajzën asokohe të mitur e cila sot ka një djalë 17-muajsh.

Eni Çobani: I pari njeri që duhet dënuar moralisht në këto seanca je ti. Se ti zotëri ke pranuar t’i japësh vajzën 16 vjeç Lorenc Hetës, që këtu fillon!

Maliq: E kam dhënë vajzën unë.

Eni Çobani: Jo, jo, fillon këtu njëherë. Kur të thuash “më fal” që e kam bërë këtë veprim dhe je penduar për këtë veprim, atëherë mund të fillojmë të flasim ne të dy. Që nga ai moment që unë kam përballë një baba që është krenar që i ka dhënë vajzën 16 vjeç, një fëmijë, ajo edhe sot është fëmijë por një fëmijë 16 vjeç që nuk di se çfarë bëhet në këtë botë dhe e ka futur në familjen e Avni Hetës dhe i kërkon llogari Avni Hetës sot “pse nuk bëre celebrimin”, po ju ku ishit? Ti pse e dhe vajzën? Ti ta kishe dhënë 18 vjeç, ta kishe martuar sipas ligjit që djali të vinte nga martesa ligjore dhe në qoftë se nuk do duheshin më fëmijët, të ndaheshin sipas ligjit. Dhe tani i thua… jo, jo Avniu ka gjërat e veta, por këto që s’i ka unë nuk ia ngarkoj dot, jo jo, të jemi të barabartë.

Çobani shton se Avniu ka thënë se do të mendojë për një zgjidhje në rast se djali, i cili aktualisht qëndron në shtëpinë e tij, do të jetojë vetëm me Erjonën, pa praninë e prindërve apo familjarëve të tjerë të saj. Ndërmjetësja thekson sërish se përgjegjësitë e vetme ligjore dhe prindërore mbi djalin  i përkasin Erjonës dhe Lorencit.

Eni Çobani: Djali është i Erjona Kastratit dhe Lorenc Hetës, me atësi të njohur dhe me mbiemër dhe po ju them publikisht, kush ka ëndrra në sirtar se do marrë djalin e Erjona Kastatit dhe Lorenc Hetës, do ta çojë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, t’i harrojë përfundimisht. Djali nuk del nga kufijtë e Republikës së Shqipërisë!/tvklan.al