Presidenti Ilir Meta pas firmosjes së dekretit që  kthen ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka paralajmëruar se do të firmosë edhe një dekret tjetër për shpërndarjen e Parlamentit, nëse qeveria nuk e merr parasysh popullin, duke i lënë afat për reflektim deri më 15 Mars.

“Dhe tani, përpara se të firmos dekretin kundër ligjit antikushtetues për betimin tek Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kërkoj shprehjen e vullnetit tuaj. Kush është pro, ju lutem të ngrejë dorën. Vdekje grushtit të shtetit, rroftë republika, rroftë shteti i së drejtës. Këtu pas ka një kërkesë tjetër, nuk kënaqen me pak, nuk kënaqen me kaq. Duan që sot shpërndarjen e parlamentit puçist.

Më duhet të firmos këtë dekret dhe do të kthehem përsëri këtu, për atë dekretin tjetër që e brohoritët më shumë se ky.

Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas datës 15 Mars kur të përfundojë reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht popullin kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos në mes të parlamentit, atje në mes të krimit”. /tvklan.al