Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shkuar këtë të Martë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, ai dha shpjegime për vjedhjen e serverave në Partinë e Lirisë.
Në dalje nga ambientet e prokurorisë, Meta, me një trëndafil në duar, u ndal më shumë për të folur për kushtet e ndërtesës, që sipas tij, e shokuan pasi ishte në gjendje të tmerrshme.
“Jam i shokuar nga gjendja në Prokurorinë e Tiranës, një gjendje e tmerrshme. Mal me dosje sepse nuk kanë ku t’i arkivojnë. Një ashensor që nuk punon dhe zbrita nga shkallët sepse nuk kisha kohë të harxhoja. Situatë shumë e rëndë dhe duhet deputetët që janë në Komisionin e Ligjeve të shikojnë gjendjen këtu. “Ramaforma” kujdeset vetëm për kushtet e 3-4 prokurorëve të SPAK-ut që i ka futur në xhep Engjëll Agaçi që kur ka bërë procesin e kapjes së tyre dhe nuk do t’ia dijë për të gjithë prokurorët e tjerë, për të gjithë gjykatësit e tjerë. Male me dosje, një situatë e tmerrshme. Bile do bëjmë thirrje qytetarëve të paktën ta luajnë nga brenda se e kanë lënë në gjendje të mjeruar”, tha Meta.
Sa i përket kallëzimit për vjedhjen e serverave, Meta tha se bëhet fjalë për një proces mafioz që do të kapë edhe vulën e Partisë së Lirisë.
“I gjithë procesi mafioz për të kapur edhe vulën e Partinë e Lirisë është si rezultat i trios Rama-Dumani-Agaçi. Por PL ka 5 prioritetet e miratuara nga konventa. Ka 1 qëllim madhor, 4 milionë shqiptarë plus, ai mund të vazhdojë me prokurime të drejtpërdrejta me filipinas, me bangladeshas”, tha Meta.
Në fund të muajit të kaluar, Meta bëri një kallëzim në këtë Prokurori se disa persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një hard disc me materiale në zyrën e Partisë së Lirisë. Vjedhja sipas tij është kryer më 6 Mars 2024.
“Në pajisjen DVR (hard disk) të Partisë së Lirisë më datën 06.03.2024 në orën 23:40:06 dhe me shënimin elektronik change Working HDD to <1> vërtetohet se persona të paautorizuar kanë hyrë në orën e vonë, saktësisht, në godinën e Partisë së Lirisë, duke qenë në dijeni të vendit të çelësave, i kanë marrë ato dhe janë ngjitur në ambientin ku ndodhej pajisja DVR (hard disk), të cilin sipas edhe skedës elektronike bashkëlidhur këtij kallëzimi rezulton se është ndërruar”, thuhet në kallëzimin e Metës./tvklan.al