Në Aeroportin e Rinasit është përuruar sistemi i ri për doganën i njohur si kanali i kuq dhe ai jeshil. Tashmë pasagjerët që hyjnë në Shqipëri mund të zgjedhin kalimin në njërën nga hyrjet duke deklaruar konkretisht nëse ka në bagazhet e tyre mallra për deklarim doganor. Ky sistem siguron një procedurë në përputhje me rekomandimet e organizatës botërore të doganave dhe për aviacionin civil. Sistemi në fjalë është ngritur me asistencë të ekspertëve të “Cham Albania”-s.
Shpëtim Idrizi: “Drejtori a e Përgjithshme e Doganave dhe në kuadrin e masës që ka marrë për reformimin e sistemit doganor, jo vetëm nëpërmjet luftës kundër mashtrimit doganor apo luftës kundëe kontrabandës, jo vetëm në punën që po bëjmë në drejtim të implementimit dhe informatizimit të sistemit doganor, por ne kemi programe të qarta dhe për thjeshtimin e kalimit të biznesit apo në këtë rast të udhëtarëve.”
“ Është një hap shumë i rëndësishëm për modernizimin e doganës, një përmirësim cilësor për kontrollin dhe njëkohësisht një hap lehtësues për pasagjerët. Nuk është një veprim sporadik, por është i bazuar në një aktivitet të qartë pasi sistemi prej javësh është testuar nga drejtoria e dogoanave për të cilët ne jemi të kënaqur për t’i inkurajuar dhe ndihmuar në projekte të përbashkëta.”
Nëse pasagjeri ka në bagazh sende brenda kufijve të pataksueshëm, mund të kalojë në hyrjen apo në kanalin jeshil. Por nëse zgjedh këtë hyrje duke mos deklaruar mallra, për të cilat duhet të paguajë taksë doganore, sistemi i kontrollit parashikon gjoba të rënda dhe sanksione. Ky sistem, pas aeroportit, pritet të instalohet dhe në portet detare të vendit. /tvklan.al