Numri i vizitorëve në Gushtin e këtij viti sipas INSTAT është rritur me 32%, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2023. Ndërsa të ndarë sipas kategorive, numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 50,6% nënvizon Instituti i Statistikave në publikimin më të fundit.

Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendror ka shënuar rritje dyfish. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 50,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Numri i vizitorëve jo-rezident në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 55% nënvizon INSTAT.

Numri i netqëndrimeve gjithsej në Gusht të këtij viti është rritur me 11,3%, në krahasim me Gusht 2023. Prej tyre vizitorët jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 40,9%, ndërsa në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 14,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Në muajin Gusht 2024, numri më i lartë i netqëndrimeve ishte në Zonat Bregdetare me 83.8% dhe në Rajonin e Jugut me 41,4%. Ndërsa sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” rritja ishte 92% në Gusht sipas INSTAT.

Sipas të dhënave zyrtare nga Janari deri në Shtator të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 9.7 milionë turistë.

Klan News