Ardian Ismajli do të ketë të gjithë prozhektorët drejt vetës në sfidën e kësaj fundjave. Mbrojtësi shqiptar ka përfunduar prej javësh në fokusin e shumë skuadrave elitare në Serie A, teksa Inter duket se tashmë po analizon deri në detaje performancën e Ismajlit.

Madje sipas asaj që raportohet në mediat italiane, zikaltërit do të dërgojnë skaut për të ndjekur nga afër përballjen mes Parmës dhe Empolit.

Katër janë lojtarët nën monitorim, me Ismajlin që kryeson edhe listën e dëshirave. 28-vjeçari i përshtatet një profili që po kërkon Interi, pasi shqiptari është i aftë për të luajtur në mbrojtjen me tre futbollistë.

Fakti që te skuadra nga Milano aktivizohet edhe Kristjan Asllani mund ta shtyjë akoma dhe më shumë drejt firmës me Interin.

Ismajli është një qendërmbrojtës i fortë fizikisht, i cili shkëlqen dhe ka përvojë në Serie A. Mbrojtësi është në sezonin e fundit të kontratës me Empolin dhe merkato e janarit mund ta katapultojë te Interi.

Klan News