Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja do të hetohet nën masën “arrest në burg”. Gjykata nuk ka pranuar kërkesën e ish ligjvënësit për një masë më të butë duke e lënë në qeli.

Cyrbja u paraqit pak para mesditës në Gjykatën e Posaçme. Ai u njoh me materialet që përmban dosja e spak në këtë seancë dhe jo më herët për shkak të sekretit hetimor. Çyrbja nuk ka pranuar të flasë ndërsa  avokati ka deklaruar se ai nuk ka përdoru aplikacionin “Sky Ecc”.

Në njoftimin zyrtar, SPAK deklaroi se Çyrbja gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, i ka ofruar informacione të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim, i siguroi vota për tu zgjedhur deputetet në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Një tjetër akuzë ndaj ish-deputetit është dhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione te policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.

Jurgis Çyrbja është vënë në dijeni të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit në zonën e Durrësit, me qëllim arrestimin e shumë të kërkuarve dhe ky informacion u është transmetuar personave të shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit për arrestimin e Çrybjas dhe Mashës, policia sekuestroi pesë telefonë, një hard disk të jashtëm, një pajisje regjistrimi, 1.100 euro dhe dokumente pronësie.

Klan News