Lajme Arkiva 2003
Ish kryetari i Shërbimit Informativ shtetëror Fatos Klosi është shfaqur në Gjykatën e Faktit në Tiranë. Klosi ka kërkuar të takohet me kryetarin e gjykatës Sokol Çomo. Ky i fundit nuk ka bërë të mundur takimin e ish kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar me arsyetimin se është i zënë me përgatitje për mbledhjen e analizës së punës 1 vjeçare të institucionit.
Pas kësaj Klosi është larguar nga ambientet e gjykatës, i pyetur nga gazetarët ish kreu i SHIK ka deklaruar se ka kërkuar takim me kreun e gjykatës nisur nga shqetësimi për një çështje civile e paditur në këtë gjykatë nga miku i tij ish funksionar në Ministrinë e Rendit Sokol Peza.
Peza u shkarkua nga Ministria e Rendit pasi po shoqëronte Klosin në një udhëtim në Maqedoni ku ish kryetari i SHIK-ut u ndalua të kalonte nga policia shqiptare në kufi, me arsyetimin se nuk kishte marrë leje nga kryeministri.
Pas kësaj Sokol Peza i është drejtuar gjykatës me një padi kundër Ministrisë së Rendit për shkarkimin e tij nga detyra ku kërkohet dhe rikthimi në punë, por gjykata e faktit pas më shumë se katër muajsh nuk ka filluar ende procedim penal, ndërsa Klosi ka tentuar të shprehë para gjykatës shqetësimin e tij në lidhje me injorimin e kërkesës ligjore të ish funksionarit të ministrisë i larguar nga ky institucion për shkak të Klosit dhe udhëtimit të tij deri në Qafë-Thanë./tvklan.al