Ish-presidenti i Finlandës, ndërmjetësuesi kryesor në negociatat shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, u nderua me çmimin Nobel për paqen.

Vendimin e mori komitetin për çmimin Nobel në Oslo të Norvegjisë duke zgjedhur Ahtisarin nga afro 197 kandidatë të kësaj fushe për t’i dhënë atij medaljen e artë, një diplomë dhe trofeun prej 1.4 milion dollarësh.

Kreu i këtij komiteti, Ole Danbolt Mjoes, tha se zoti Ahtisari ishte një ndërmjetësues i shkëlqyer, i cili për më shumë se tre dekada ka ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve në shumë pjesë të botës.

Ndërkaq Serbia ka reaguar me indinjatë kundër marrjes së çmimit Nobel të Marti Ahtisarit.

Në një deklaratë për shtyp të kreut të qeverisë serbe thuhet se Beogradi shpreson që ky çmim të mos i jetë dhënë Ahtisarit për veprat e tij në Kosovë, sepse sipas Beogradit ai ka ndihmuar në ndarjen e paligjshme të Kosovës duke shtuar tensionet në Ballkan dhe rrezikun për paqen.

Ish-presidenti finlandez, një burrë i madh shteti, Marti Ahtisari, dha një kontribut vendimtar për ndërprerjen e luftës së Kosovës, kur arriti të bindë presidentin e atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviç, të pranojë kushtet e NATO-s për dhënien fund të luftës në Kosovë.

71-vjeçari, i cili ka ndërmjetësuar edhe zgjidhjen paqësore të krizës në Indonezi, në fund të negociatave shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës hartoi një plan, i cili parashikonte pavarësinë e mbikëqyrur të saj. Mbi bazat e këtij plani më 17 Shkurt Prishtina zyrtare shpalli pavarësinë.

Hashim Thaçi: “Nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.”

Një muaj më pas Ahtisari deklaroi: “Nuk do të ketë më kthim në të shkuarën. Kosova është tashmë e pavarur dhe do të kërkojë anëtarësim në institucionet ndërkombëtare financiare për të përmirësuar ekonominë, që është edhe prioriteti i saj kryesor.

Diplomati i shquar u ftua në Nëntor të vitit 2004 dhe në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, ku shprehu besimin për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës dhe për integrimin evropian të të gjithë rajonit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle