Një jaht që ishte marrë me qira nga producenti i famshëm Metro Boomin shpërtheu në flakë mëngjesin e së dielës teksa ishte ankoruar pranë një prej klubeve më të njohura të striptizmit në Majami.
Jahti prej 30 metrash u përfshi nga flakët vetëm 30 minuta pas ankorimit, rreth orës 3 të mëngjesit, raporton Local10.
Punonjësit e klubit u hodhën menjëherë në veprim për të evakuuar 10 njerëz që ishin në bord, përfshirë Metro Boomin dhe 5 anëtarë të ekuipazhit.
“Jahti u vendos aty dhe kishin ndoshta 30 minuta në kuvertë kur ne vumë re se po binin alarmet e zjarrit. Kur pamë jahtin, dalluam edhe tymin brenda saj. Vendosëm që ta evakuonim menjëherë”, tha shefi i sigurisë së klubit.
Pasi të gjithë ishin të sigurt, flakët ndërkohë rriteshin duke përfshirë gjithë mjetin lundrues. Më shumë se 30 njësi zjarrfikëseje nga toka e uji u thirrën për të shuar flakët gllabëruese.
Autoritetet u shprehën se fikja e tyre ishte vështirë për shkak të madhësisë së jahtit dhe ngarkesës së karburantit.
Në fund, jahti u fundos teksa nuk ka asnjë të lënduar./tvklan.al