Sfida mes Korabit dhe Vllaznisë B e zhvilluar të shtunën në Peshkopi u mbyll me momente tensioni. Kapiteni i shkodranëve, Enes Isufi akuzon drejtorin e klubit dibran Fehmi Mëziu, se e kërcënoi, pasi kishte hyrë në fushë i nervozuar nga kartoni i dhënë kundër një futbollisti të Korabit.

“Në ato momente shkaktoi acarim te drejtori Fehmi Mëziu. Unë dola përpara. Ai vazhdoi me fjalët; Do ju vras, do ju fus plumbin. Ne u ndjemë të pasigurtë, pasi nuk ishim në shtëpinë tonë”.

Klubi shkodran reagoi duke kërkuar që të merren masa, pasi në rast të kundërt mund të mendojë edhe tërheqjen nga kampionati i Kategorisë së Parë. Këto akuza janë hedhur poshtë nga klubi dibran, duke i quajtur shpifje. I pyetur rreth kësaj çështje, reagoi edhe trajneri ekipit të parë të Vllaznisë, Ernest Gjoka, i cili pak javë me parë u sulmua kur po largohej nga fusha e stërvitjes.

“Unë them që duhet një dorë e fortë, nëse këto janë të vërteta dhe të merret masë sa më shpejt. Nëse nuk merret masë do të vazhdojmë të jemi në një vorbull shumë të shëmtuar dhe nuk është e mirë për askënd në futboll”

, thotë Ernest Gjoka.

Ngjarjet antisportive nuk kanë munguar edhe këtë sezon në futbollin shqiptar veçanërisht në kategoritë e ulëta ku dhuna është më e pranishme. 

Tv Klan