“Elbasan Arena” do jetë shtëpia e derbit të kryeqytetasit mes Dinamos dhe Partizanit. “Nëndetësja blu” ka zgjedhur stadiumin e Elbasanit për të luajtur sfidën më të rëndësishme të javës së 13-të të Superligës. Një 90 minutësh që përpos pikëve vlen për historinë.

Dy skuadrat po përjetojnë situatë të ngjashme, me të kuqtë që kryesojnë së bashku me Vllazninë në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Dinamo gjendet pas tyre me një pikë më pak. Dorë në këtë ecuri ka padyshim Ilir Daja. Që prej mbërritjes së tij në stol, “blutë” deri tani kanë zhvilluar 9 ndeshje dhe kanë grumbulluar 17 pikë. Ndryshimi i Dinamos është i qartë dhe nuk reflektohet vetëm në tabelën e renditjes.

Me Dajën në stol skuadra ka ndryshuar së pari mentalitetin, duke shfaqur vazhdimisht karakter me disa fitore të arritura në sekondën e fundit. Dinamo nuk dorëzohet lehtë si sezonin e shkuar. Edhe kur pësojnë gol blutë reagojnë mirë dhe tregojnë forcën e tyre, siç ka ndodhur në ndeshjet kundër Partizanit, Vllaznisë, Egnatias dhe Bylisit.

Shenja që trembin jo pak rivalët e teknikut Veselinovic, ndaj të cilit Daja debutoi në stolin e Dinamos duke i rrëmbyer një pikë në limitet e shtesës në barazimin e fazës së parë me shifrat 2-2.

Klan News