Prokurori i Durrësit: Isha unë objektiv i sulmit, qëlluan ku isha i ulur në makinë
Arjan Ndoja, prokurori i Durrësit, i cili mbeti i plagosur në atentatin e 1 Nëntorit të vitit 2019 ka dëshmuar në gjykatën e posaçme ndaj Redjan Rrajës dhe Arjon Halilajt, të vetmit të arrestuar për këtë krim. Gjatë seancës gjyqësore prokurori Ndoja ka treguar se ai ishte objektivi i atentatit ndërsa vuri në dispozicion dhe këto pamje të makinës që udhëtonte në atë kohë. Sipas tij shenjat e plumbave janë në anën ku qëndronte i ulur si pasagjer.
“Objektiv i atentatit kam qenë unë. E tregojnë dhe pamjet e makinës. Arsyet pse më kanë qëlluar e dinë këta. Nuk kam pasur asnjë shqetësim përpara se të ndodhte kjo ngjarje, vetëm deklaratat e bëra nga zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili përmendi akuza publike ndaj personit tim”.
Gjatë seancës gjyqësore të së enjtes dëshmoi dhe shoferi i makinës që i dha ndihmën e parë të plagosurve. Rraja dhe Halilaj akuzohen për atentatin e ndodhur në 1 Nëntor 2019, pranë Mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Ndoja, ndërsa humbi jetën në spital shoferi i prokurorit Andi Maloku.
Dy javë më parë gjykata e posaçme miratoi kërkesën e SPAK për të sekuestruar pasuritë e Redjan Rrajës. Sipas një njoftimi zyrtar u bllokun një apartament në Tiranë, dy dyqane, dy garazhe, po në kryeqytet, dy automjete një tip “Audi A8”, një makinë tip “Bentley”, një orë Rolex dhe 2 750 euro kesh.
Klan News