Në redaksinë e emisionit “Stop” është drejtuar një qytetare, që ka nënën e sëmurë, por nuk mundet t’i bëjë një rezonancë në kokë, pasi nuk punon aparatura në QSUNT.

Zonja tregon se vizita e së ëmës ishte planifikuar prej 4 muajsh, por nuk mundi ta kryejë ditën e caktuar.

“Mami kishte rezonancën. E kishte të planifikuar që para 4 muajsh, dhe kur shkuam ne ditën e premte, thoshte që nuk punonte. Kishte për të bërë një rezonancë për kokën. Në fillim shkuam tek Spitali Neurologjik sepse dinim që aty duhej të bëhej. Nga aty thoshte, që e ka të planifikuar tek QSUNT-ja. Shkojmë tek QSUNT-ja dhe aty thoshte, që nuk punonte. U vërdallisëm dhe na morën numrin e telefonit, që kur të rregullohej do na merrnin në telefon”, thotë denoncuesja.

Kamera e “Stop” verifikoi mungesën e shërbimit të rezonancës, por në shkresën zyrtare të QSUNT-së, thuhet se shërbimi është kthyer, pasi pajisja është rregulluar.

Punonjësja: Ku do të shkojë zonja?

Qytetarja: Tek rezonanca!

Punonjësja: Nuk punon rezonanca.

Qytetarja: Edhe njëherë, të lutem?

Punonjësja: Nuk punon, ka defekt.

Qytetarja: Kam takim për mamin, pastaj erdha, që të pyes, para se ta sjell personin. A di gjë, kur rregullohet?

Punonjësja: S’e di, vallaj! Planifikimin, kur e ke?

Qytetarja: Po pra po, për nesër e kisha pra.

Punonjësja: Ja ku e ke rezonancën! Me defekt!

Qytetarja: Ah, këtu?

Punonjësja: Aty është rezonanca me defekt.

Qytetarja: Ah, me defekt! Më falni, dini gjë, se kur do të rregullohet kjo rezonanca?

Infermierja: (Ngre supet).

Qytetarja: Ky, që u fut, mjeku ishte?

Infermierja: Po!

Qytetarja: Më falni, ka njeri këtu brenda?

Punonjësja: Janë teknikët.

Qytetarja: Po për këtë dua, që të pyes, di gjë kur do rregullohet rezonanca?

Punonjësja: Janë 10 veta, as këto vetë s’e dinë, se janë duke bërë prova.

Qytetarja: Juve jeni këtu?

Tekniku: Po! Do vijë doktori, do të kthejë përgjigje doktori. Po shikon imazhet! Besoj, do rregullohet sot!

Qytetarja: Atë hall kam, se ka për të bërë mami rezonancën. 

Tekniku: E ke për sot?

Qytetarja: E kam për nesër, por erdha të pyes.

Tekniku: Besoj, që do rregullohet!

Qytetarja: Ok! Faleminderit!/tvklan.al