Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Strategjia e demokratëve për ripërtëritjen e strukturave të Partisë Demokratike, lejon garë të hapur nga baza në qendër. Sipas nënkryetares së PD Jozefina Topalli, elementët e rinj që duan të përfaqësohen në politikën e djathtë përzgjidhen edhe mbi bazën e disa kritereve, ku veçanërisht shihet karriera e suksesshme profesionale, por që kanë të dhëna për gjykim politik. Nëse në raste të tilla vijnë edhe hatërmbetjet Topalli shprehet.

Jozefina Topalli: “Unë mendoj se gara duhet pranu si filozofi brenda çdo fushe të shoqërisë së jetës dhe natyrisht edhe brenda politikës, në qoftë se s’do pranojmë këtë do ishte diçka shumë negative, por unë besoj se të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe pranojnë diçka të tillë, duke e parë bilës ardhjen e të rinjve si një pasurim dhe secili prej nesh duhet të pranojë një filozofi të tillë, në qoftë se dëshirojmë vërtetë që partia të vijë në pushtet.”

Ky vit elektoral për partinë më të madhe të opozitës, sjellë edhe risqet për vetë lidershipin e PD.

Jozefina Topalli: “Secili prej nesh duhet të pranojmë garën dhe duhet të pranojmë që të ballafaqohemi me vlerat e tjera.”

Gazetarja: Pra strategjia e PD i lenë hapësirat çdo kujt që të kandidojë edhe për kryetar partie ndoshta?

Jozefina Topalli: “Absolutisht po, në qoftë se ka të tjerë që mendojnë se i kanë profilin, për të kandidu për lider të partisë gara është e hapur. Do dëshiroja shumë që të kishte profile të tilla, deri në këtë moment nuk e shoh, por është shumë e rëndësishme për partinë që të rritet gara dhe që të ketë njerëz, të inkurajohen njerëz për të hyrë në një betejë elektorale brenda partisë.”

Aktualisht janë duke u zgjedhur kryetarët e degëve të vogla nëpër rrethe, ndërsa për në fund është lënë zgjedhja e kryetarit të degës së PD të Tiranës, mandat të cilin tani e mban Vili Minarolli./tvklan.al