210 kilogramë kokainë nga Amerika Latine janë kapur nga policia greke në Portin e Pireut. Droga u gjet e fshehur brenda një kontejneri me karkalecë të ngrirë. Lënda narkotike ishte nisur nga Panamaja, ndërsa sipas mediave greke, destinacioni ishte Shqipëria.
Prej aty do të shpërndahej në vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore. Këto janë pamjet e drogës së sekuestruar në Portin e Pireut. Pakot mbanin të stampuar shenja dalluese për tërheqjen e drogës ndërsa sinjalizimi për ngarkesën është dhënë nga DEA amerikane.
Policia helene ka arrestuar 4 persona, 2 shqiptarë dhe 2 grekë. Nga mediat greke mësohet se shqiptarët janë një 48-vjeçar i cili quhet Jasona Mërkuri, i cili njihet dhe me dy emra të tjerë ndërsa i prangosuri tjetër është Marsel Stafaj, 36 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë greke, Mërkuri ishte drejtuesi i grupit të narkotrafikut. Ndaj tij kishte një urdhër arresti për përfshirjen në një tjetër rast trafikimi droge. Rezulton se në vitin 2017 ishte dënuar me 20 vite burg si financuesi dhe drejtuesi i një grupi që prodhonte pilula Kaptagon në një laborator të vendosur në një lagje të Athinës.
Klan News