Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier u është kundërpërgjigjur provokimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Hovenier ka thënë se misioni i NATO-s në Kosovë, është “i gatshëm të bëjë gjënë e duhur”.

“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.

Foli edhe për deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili deklaroi se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

“Kosova rreshtohet shumë mirë me NATO-n sa u përket vlerave, institucioneve. Pra, më shumë ka të bëjë me zgjidhjen e këtyre sfidave të tjera dhe të avancojë. Ne presim që Kosova një ditë të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s”, tha ambasadori.

Edhe presidentja Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë krahasime të tilla.

Hovenier gjatë ditës ka takuar zv/kryeministrin Besnik Bislimi. Tha se ka parë shenja pozitive nga takimi i Brukselit.

Ne e respektojmë vendimin e BQK-së, e cila ka për detyrë që të qeverisë me çështjet monetare të Kosovës. Jemi të shqetësuar se kjo mund të ndikojë në komunitetin serb të Kosovës dhe është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha Hovenier.

Hovenier tha se nuk i ka parë propozimet që qeveria do të dërgojë në Bruksel të premten pasi i është thënë se është duke u punuar në to.

Tv Klan