10 të arrestuarit, mes të cilëve edhe 3 shtetas të huaj nga Amerika Latine do të qëndrojnë në qeli pa afat, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit nuk i pranoi kërkesat e tyre për zbutje të masave të sigurimit.
Ata u arrestuan në 15 dhe 16 Nëntor të këtij viti me kërkesë të SPAK që i dyshon se janë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte nga Amerika Latine kokainë të fshehur në lëkurë gjedhi.
Grupi është përgjuar në terren për afro 1 vit dhe Prokuroria e Posaçme thotë se ata janë përgjegjës për dy raste të trafikut të kokainës, të nisur nga Republika Domenikane.
Në Shqipëri ata kishin ngritur edhe një laborator në Fushë Krujë të ndarjes së kokainës nga lëkura e gjedhit dhe në rolin e kimistëve që e realizonin këtë proces, SPAK beson se janë 2 shtetasit nga Venezuela dhe një kolumbian.
Referuar dosjes ky i fundit në vendin e origjinës drejtonte një grup kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe një shtetas shqiptar që është arrestuar atje për llogari të DEA-s.
Gjatë operacionit në mesin e Nëntorit hetuesit gjetën edhe 2 ambiente të tjera në Tiranë dhe Durrës që dyshohet se përdoreshin nga grupi kriminal.
Tv Klan