Ka marrë përmasa tragjike ngjarja e ndodhur paraditen e kësaj të hëne pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Një 14-vjeçar, i cili mbeti fillimisht i plagosur, ka ndërruar jetë në spital. Sipas gazetarit Besar Bajraktaraj, ai kishte marrë plagë me thikë në zemër dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë.
Nga sherri, ku sipas policisë u përfshinë 3 adoleshentë të gjithë të moshës 14-vjeçare, mbeti i plagosur edhe një tjetër. Ai mësohet se ka marrë goditje në kraharor dhe gjendja shëndetësore paraqitet stabël.
“Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, tha policia në një njoftim për mediat./tvklan.al