Diplomohet për gjuhë-letërsi dhe krejt papritur emërohet si mësuese në një gjimnaz në fshatin Gjinar të Elbasanit. Kështu do të ishte me një fjali historia e ditës së parë të punës e Adriatike Lamit. Por, e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan ajo e cilëson këtë si një ndër ditët më të rëndësishme të jetës dhe formimit të saj në karrierë.
Dashuria dhe pasioni për profesionin që aq shumë e dëshironte bëri që Adriatike Lami të mos hiqte dorë edhe pse u emërua në një fshat të largët, edhe pse duhet të bënte një orë rrugë bashkë me një foshnje në bark për të shkuar dhe për të dhënë mësim. Teksa kthehet pas në kohë ajo përshkruan fshatin, klasën dhe orën e parë mësimore.
Adriatike Lami: Preferova të zgjedh një datë shumë të veçantë që përcjell pozitivitet dhe pse jo motivon dikë që është në fillesat e jetës së vet dhe të punës së vet. M’u kujtua dita ime e parë e punës në profesionin e mësuesisë. Kam mbaruar në vitin 1994 për gjuhë-letërsi, kam mbaruar mirë dhe atëherë kishte mundësia pa fund për të eksploruar dhe për të kërkuar nga vetja shumë më tepër. Ishte dita e parë e punës, marr emërimin, siç ishin format e emërimit në ’94, edhe pse ishte postkomunizëm, ishte e njëjta formë.
Rudina Magjistari: Burokracira apo nepotizëm do të thuash?
Adriatike Lami: Ishte një lloj zyrtarizmi i një lloj rregulli të përcaktuar. Emërimin e marr në Gjinar të Elbasanit, isha shtatzënë në atë kohë dhe gjithë familja më thoshte “mos shko, është larg”. Dhe thashë “jo unë do të shkoj, do ta filloj atje njëherë”, por nuk isha shumë e qartë. Nuk përcaktohej mirë tek letrat nëse isha në shkollën 9-vjeçare apo në gjimnazin e Gjinarit. Unë nuk ia kisha idenë fare. Më shoqëron babai i tim shoqi sepse ai e njihte shumë mirë atë zonë dhe tha “ne do të shkojmë bashkë”. Ai e pëlqeu shumë faktin që unë po shkoja me shumë qejf në punë. Shkojmë tek shkolla 9-vjeçare, atje në fakt u dekurajova shumë sepse nuk gjeta tamam një shkollë, ishin vetëm 3-4 klasa, ishte ndërtesë një katëshe. Më del përpara drejtoresha dhe s’më mbushej mendja se ishte tamam një drejtoreshë që të priste dikë. U trishtova! Vetëm kur më thonë “nuk je këtu, je tek gjimnazi”. Ndërkohë që prisja të shkoja tek gjimnazi i Gjinarit shijova atë ambient fantastik, ajo ka qenë një pikë turisteje aso kohe, ai pylli i paprekur, atje kam parë ketra për herë të parë. Një kafe interesante aty, me një çezmë me një ujë fantastik. Sigurisht më mirëpresin dhe më futin direkt në mësim.
Gjimnazistët ishin të ulur në bankat e tyre dhe e vështronin me kërshëri mësuesen e tyre të re. Dita e parë e punës në profesion për këdo bëhet e paharrueshme, dhe për Adriatike Lamin ajo ka ngulur rrënjë thellë në memorie. Këtë ditë ajo e cilëson si një ndër ditët që ka marrë një mesazh që i ka shërbyer gjatë. Po ditën e parë të saj si mësuese, në orën e mësimit të gjuhës dhe letërsisë kur i vjen kontrolli rutinë, teksa fliste për poetin e njohur Zef Serembe ajo nuk ka për ta harruar kurrë!
Adriatike Lami: Ora e parë e mësimit! Mbaj mend e temën, kam shpjeguar Zef Seremben. Di që klasa ishte vërtet e qetë, mu dukën të rritur dhe u kënaqa vërtet përballë tyre. Kam shpjeguar me një pasion të paparë, por po atë ditë më vjen kontrolli në shkollë.
Rudina Magjistari: Pra ishte dita jote e parë e punës, por jo dita e parë e vitit shkollor?
Adriatike Lami: Jo nuk ishte dita e parë e vitit shkollor, ishte dita ime e parë e punës, shkolla kishte gati një muaj që kishte filluar. Vjen rutinë një kontroll që unë nuk e konceptoja, vjen dhe ulet në bankat e fundit, siç nuk duhet të jetë në fakt kontrolli. Unë e kam rregulluar këtë gjë tek vetja sepse para disa vitesh më ra mua që të punoja një inspektim.
Rudina Magjistari: Kështu që vendose të ndryshoje metodologjinë?
Adriatike Lami: Pa diskutim! Ishte viti ’94 dhe ulen si burokratët në fund dhe më bëjnë disa vërejtje që unë sot do i pranoja, por në atë kohë nuk i pranova dhe e pyeta se çfarë kishte mbaruar, ishte mësues fizkulture në profesion. “A këtë nuk e pranoj” i thashë. Nejse nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme, ai më pa si një mësuese të re, mbase nuk i kapi dhe detajet. Sot me pak qetësi do e kisha parë ndryshe, por reagova.
Rudina Magjistari: Ne të kemi parë të reagosh në fakt dhe jo pak. Reagon dhe nuk të fal!
Adriatike Lami: Ishte dita ime e parë e punës. Unë sot punoj në drejtim, kam punuar dhe si inspektore në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Kurrë nuk kam hyrë siç më hynë mua ditën e parë, gjithmonë kam parë se çfarë teme ka mësuesi, çfarë probleme ka, a është në fillimet e punës.
Olesia Leço: Por, mendoj se të është bërë mësim jete dhe sa bukur që të është bërë mësim jete ajo gjë./tvklan.al