Prej 22 vitesh në Australi, Blerina Dula me origjinë nga Gjakova ka treguar se si është jeta e saj në Sidnei. Në një lidhje për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dula thotë se puna e saj është e përqëndruar në turizëm.
“22 vite që banoj në Australi. Merrem me turizëm. Kur erdha në Australi, takova disa njerëz që merreshin me turizëm dhe flisnin me aq shumë pasion dhe vendosa të vizitoj disa vende të Australisë dhe u dashurova me bukuritë natyrore të Australisë. Ka vite të tëra që merrem me turizëm. Zakonisht merrem me turistë e huaj që vizitojnë Australinë. Në fillim punoja me kompani turistike që merrej me turistë të huaj dhe pastaj kalova në online me marketingun e produkteve.”
Edhe pse shumë larg me kilometra, kjo nuk e ka penguar Blerinën që të vijë në Shqipëri dhe Kosovë 2 herë në vit.
“Vij në Kosovë dhe Shqipëri 2 herë në vit. Vendi im i preferuar është Valbona, e dua shumë dhe po ashtu jugu i Shqipërisë më pëlqen shumë, mundohem ta vizitoj çdo vit.”
Blerina Dula tregon mes të tjerash se si ka ndryshuar perceptimi i australianëve për Shqipërinë dhe Kosovën vitet e fundit.
“Kur erdha në 2002 më pyesin se nga jam dhe nuk e dinin nga ishte Shqipëria dhe Kosova, ndërsa tani është e pabesueshme se sa publiku australian e njeh Shqipërinë dhe Kosovën dhe publiku ka nisur të vizitojë më shumë Shqipërinë.”
Për Blerinën, ajo që nuk është në favorin e turizmit në Shqipëri është shërbimi në restorante, si dhe mbeturinat, për të cilat ka thënë që ja zë syri sa herë që vjen këtu.
“Kur isha në Ksamil, isha me bashkëshortin që është nga Afrika e Jugut dhe u apasionua pas dizajneve që kishim në restorante. Shërbimi nuk ishte aq sa në vendet perëndimore. Shërbimet duhet të jenë më të mira, përsa i përket restoranteve, bareve, etj. Një tjetër që më pengon është e njëjta gjë edhe në Kosovë, është puna e mbeturinave dhe ma prek syrin sa herë që shkoj në Shqipëri dhe Kosovë sepse kemi vende shumë të bukura.”
/tvklan.al