Ambasadorja amerikane Yuri Kim është takuar këtë të premte me kryekomisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe nënkryetaren Pelinku. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja tha se SHBA-ja mbështet përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 25 Prill.

“Mbështesim përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 25 Prill duke implementuar identifikimin biometrik dhe masat e tjera, duke siguruar kandidatë të pastër dhe ndalimin e blerjes së votës apo manipulimin e saj”, tha Kim.

Kim u takua me Celibashin dhe Pelinkun 100 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. Mësohet se ajo u ka shprehur atyre mbështetjen për rolin e tyre kritik në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Ajo nënvizoi nevojën për të zbatuar në kohë dhe mënyrën efikase identifikimit biometrik dhe masa të tjerë të nevojshme. Duke kujtuar letrën e saj të 31 Gushtit drejtuar kryetarëve të partive, ajo kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar.  Ajo nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër. Në këtë drejtim, ajo përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor. Këto përcaktime mbeten në fuqi”, thuhet në një njoftim të ambasadës.

Ata ranë dakord që KQZ-ja duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për të mundësuar ndjekjen penale të shkeljeve, por së pari për t’i parandaluar shkeljet, përfshirë duke zbatuar masa për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave.

“Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe popullit shqiptar ndërsa ata punojnë për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë”, përfundon njoftimi i ambasadës./tvklan.al