Shfaqja premierë e Teatrit Kombëtar Eksperimental, edhe pse mban emrin “Koncerti”, në fakt ka sjellë një dramë të ngjizur mbi një histori të vërtetë. Portretizon jetën e kompozitorit të shquar shkodran Prenk Jakova, nën personazhin me emër Pol Jakova.
Një dramë shqipe, e bazuar në romanin e autorit Stefan Çapalikut “Një engjëll vesh me frak”, por që vihet në skenë nga regjisori Italian, Giacomo Peddini.
“Kam lexuar disa romane të Stefan Çapalikut, në Itali, dhe ky roman m’u duk mjaft interesant, por edhe strukturalisht i duhuri për të ngritur një shfaqje teatrale. Skenari është përshtatur ndërsa me atë që është fundi i romanit, unë kam zgjedhur të nis shfaqjen për të vazhduar me narrativën e jetës dhe ngjarjeve të kryepersonazhit.“
Ngjarjet vendosen në Shkodër, në fund të viteve’ 50, në Shqipërinë e diktaturës.
“Shkodra, qytet i kulturës, zgjohet nga një lajm, vetvrasja e Pol Jakovës, apo mos ishte ndoshta një vrasje? Isha shumë i interesuar për të hyrë në Shqipërinë e diktaturës, dhe për ta rrëfyer atë përmes jetës së personazheve të zakonshëm. Si ishte marrëdhënia e tyre me lirinë, veçanërisht jeta e Pol Jakovës. Ai ishte si një lider i qytetit, në një kohë kur vendi kishte vetëm një të tillë. Nga këtu nis marrëdhënia me pushtetin.“
“Koncerti” është një bashkëproduksion i Teatrit “Eksperimental” me Institutin italian të Kulturës, dhe që për publikun do të vijë në skenë deri të dielën.
Tv Klan