Konflikti për pronën shkakton viktimat e radhës, por këtë herë në kryeqytet.
Një i moshuar ka vrarë me armë zjarri fqinjin e tij dhe më pas ka qëlluar për vdekje dhe gruan e vet.
Shkak për këtë krim të dyfishtë mendohet të jetë një konflikt i hershëm pronësie që kishte mbetur pezull mes dy familjeve fqinje, Shehu dhe Xhabrahimi.
Autori i krimit, Halil Shehu, kujdesej për tokën e Xhabrahimit dhe mblidhte ullinjtë e këtij të fundit kundrejt një shpërblimi, që duhet të ketë shërbyer si mollë sherri.
Shtëpia e Halim Shehut ndodhet shumë pranë tokës së Bexhet Xhabrahimit, ndërsa ky i fundit banonte në Tiranë.
Rreth orës 18 30 të mbrëmjes, Halim Shehu, e ka ftuar për kafe 71-vjecarin Bexhet Xhabrahimi dhe e ka qëlluar atë me pistoletë, sapo ky ka mbërritur në oborrin e dibranit.
Më pas në gjendje gjaknxehtësie ai ka qëlluar dhe mbi bashkëshorten e tij, Fatime Shehu, 67 vjeçare.
Autori i krimit është arrestuar nga policia dhe më pas ka pranuar edhe motivet që e çuan në këtë vrasje të dyfishtë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle