Balluku: Do të shtrihet në 650 struktura, të garantojmë sigurinë për sezonin turistik
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka inspektuar një ndër 650 strukturat akomoduese lidhur me aksionin që po zhvillohet nga ISHTI për për kontrollin e pajisjeve me gaz dhe instalimeve elektrike.
Balluku tha se këto inspektime janë në kuadër të kritereve të sigurisë që duhet të kenë të gjitha strukturat akomoduese në vendin tonë, duke theksuar se përfitues janë vetë subjektet.
“Ky është një kontroll në të mirën e punës së tyre. Ky është një kontroll që padyshim do kërkohet nga agjencitë e mëdha të turizmit botëror, të cilat tashmë janë ato që lidhen direkt me hotelet në shumicës e rasteve. Bëhet fjalë për kushtet e sigurisë që vijnë nga pajisjet nën presion, pra për të gjithë përdoruesit e atyre hoteleve që përdorin gazin, por që pothuajse të gjithë e kanë këtë shërbim. Gjithashtu ne kemi në këto momente në fokus tonë inspektimin e lidhjeve elektrike në të gjitha ndërtesat e hotelerisë”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se i gjithë procesi, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të finalizohet para nisjes së sezonit turistik duke mos sjellë kështu shqetësime dhe pengesa në operimin e strukturave akomoduese.
“Jemi duke shpejtuar pasi nuk duam t’ju shqetësojmë gjatë sezonit, kështu që grupet e ISHTI-it në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkive të zonave bregdetare, por dhe atyre malore, pasi kryesisht e kemi vëmendjen tek ato zona të cilat do të jenë pritëse të këtij sezoni fantastik turistik me më shumë se 14 milionë vizitorë, do të jenë në terren dhe do të mundohen që të jenë sa më të shpejt, pa shqetësuar klientët, pasi është një proces që duhet ta kryejmë para 1 Majit”.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha shprehu mbështetjen për këtë aksion, si një element i rëndësishëm për sigurinë e vizitorëve në prag të nisjes së sezonit turistik.
Tv Klan