Shpërthimi që tronditi një ditë më parë qytetin e Korçës dhe rrezikoi jetën e disa personave, ndodhi si pasojë e moszbatimit të rregullave të sigurisë nga kompania e tregtimit të gazit të lëngshëm.
Edhe pse kjo kompani ishte e pa pajisur me certifikatën e sigurisë dhe e paautorizuar nga bashkia për të kryer këtë aktivitet, punonjësit e saj nuk janë penguar nga inspektorati i kontrollit të gazit.
Ndërkohë grupi task-forcë i ngritur nga prefektura ka identifikuar disa firma që punojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Ato kanë kryer prej muajsh të pa shqetësuara aktivitetin tyre.
Elfrida Zefi: “Në të 9 njësitë e tregimit, ne kemi parë anomali të theksuara të mungesës të vërtetimit teknik, i cili është dokumentacioni paraprak që duhet të kërkojnë autoritetet lokale në ofrimin e çdo leje që japin për ushtrimin e aktivitetit.”
Ndëshkimi i vetëm për shpërthimin e djeshëm ku u plagosën 2 persona ishte arrestimi nga policia, i punonjësit 26-vjeçar të firmës.
Niko Peleshi: “Të 9 subjektet në qytetin e Korçës, kanë thyer sanksionin dhe bllokimin nga policia bashkiake e aktivitetet të tyre dhe kanë filluar aktivitetin. Tregtojnë në kundërshtim me të gjithë ligjet. Ne e kemi paditur penalisht të gjitha subjektet në prokurori. Në datën 2 shkurt me sa jam i informuar do të jetë seanca e parë e gjykimit për shkeljen penale që ata tashmë kanë konsumuar. Nga ana tjetër duket se pushteti lokal nuk mund të bëjë dot më shumë se ka pa patur bashkëpunimin e inspektoratit qendror teknik.”
Për kontrollin e shitjes së gazit të lëngshëm në gjithë Qarkun e Korçës, inspektorati teknik i gazit kanë caktuar vetëm një inspektor, i cili përveç se vepron në terren të hapur, nuk ka as zyrë ku mund të njihet me ankesat e qytetarëve./tvklan./al
Gazetare: Daniela Zisi