Prokuroria dhe policia kanë zbardhur një skemë korrupsioni në spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Organi i akuzës ka kërkuar 7 masa sigurie për mjekë e specialistë. Për mjekun Edmond Gashi kërkohet “arrest shtëpie”, ndërsa për kolegen e tij Alketa Ymeri dhe zv.drejtoreshën e qendrës spitalore, prokuroria kërkon “detyrim paraqitje”.
Mes të proceduarve është dhe koordinatori në QSUT Emiljano Lela, ish specialist Drilon Kishta, Halil Gashi administrator i klinikës private “Megis” dhe Florian marku pronari i “Flori Farma”. Për këta persona organi i akuzës kërkon që të hetohen në masën “detyrim paraqitje”. Mbi ta rëndon akuza “shpërdorim detyre”, “fshehje e të ardhurave” dhe “tregtim i mallrave kontrabandë”.
Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi.
Prokuroria ka dokumentuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmacitë. Ato i tregtonin ilaçet pa pullën fiskale dhe me kod të prishur. Flakoni për kemion varion nga 250 Euro deri në 1500 euro. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme ilaçesh kontrabandë dhe një shumë prej 120 mijë eurosh në subjektin “Flori Farma”.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik ka qenë e instaluar aparatura e terapisë së kobaltit, por për vënien e tij në punë nuk është ngritur bunkri antiradioaktiv. Kjo pajisje ndodhet jashtë kushteve teknike duke u kthyer në rrezik për stafin mjekësor.
Të proceduarit:
Edmond Gashi – Mjek
Alketa Ymeri (Pere) – Mjeke
Brikena Qirjazi – Zv/Drejtoreshë në QSUNT
Emiljano Lela – Koordinator në Spitalin Onkologjik
Halil Gashi – Administrator i klinikës “Megis”
Florian Marku – Administrator i “Flori Farma”
Drilona Kishta – Ish-specialist pranë QSUNT
Klan News