Kryeministri Hashim Thaçi ka takuar liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmetin, më të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimet mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Veçmas në këtë takim është diskutuar për idenë e propozuar nga presidenti Sejdiu për një mini Shengen ballkanik.

Hashim Thaçi: “E ardhmja e Kosovës edhe e Shqipërisë, por edhe e gjithë rajonit është integrimi në NATO dhe BE, pra ajo ide ndërlidhet me integrimet euroatlantike.”

Ali Ahmeti: “Tani pa dashur ta ekzagjeroj mendoj që Kosova është vend fqinj i Maqedonisë, i Malit të Zi, i Shqipërisë. Dhe mendoj që këto 4 vende kanë shumëçka që mund të punojnë, ka shumëçka që i afron dhe është perspektiva e rajonit, është ardhmëria e rajonit nëse këto vende bashkëpunojë sa më ngushtë në të gjitha fushat që unë i përmenda më lart.”

Thaçi dhe Ahmeti kanë folur edhe rreth propozimit që shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjet për president të dalin me një emër të vetëm. Derisa kryeministri kosovar tha se kjo është çështje e brendshme e shqiptarëve të Maqedonisë. Ali Ahmeti është shprehur skeptik rreth kësaj ideje.

Hashim Thaçi: “Maqedonia është vendi i maqedonasve, shqiptarëve gjithë të tjerëve që jetojnë atje. Pra këtë përgjigje për pyetjen tuaj mund ta japin vetë qytetarët e Maqedonisë.”

Ali Ahmeti: “Tani unë mendoj që kjo çështje nuk është biseduar në thellësi që ne të kandidojmë me një president, dhe ai president të fitojë zgjedhjet. Ne mendojmë që nuk ka terren akoma të përgatitur.”/tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki