Ministri i Jashtëm i Francës refuzoi të hyjë në një vend të shenjtë nën administrimin francez në Jerusalem të enjten për shkak të pranisë së lartë të forcave izraelite të sigurisë, të cilët arrestuan shkurtimisht dy zyrtarë francezë.
Incidenti u shtohet marrëdhënieve të tensionuara diplomatike mes dy vendeve pas operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe Liban. Ai ndodhi kur Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot do të vizitonte kompleksin e Kishës së Pater Noster në Malin e Ullinjve.
“Gjatë vizitës, pati një debat mes forcave izraelite të sigurisë dhe dy rojeve franceze të sigurisë”, tha ministria e Jashtme izraelite në një deklaratë, duke shtuar se ata u liruan menjëherë pasi u identifikuan si diplomatë.
“Kjo shkelje e integritetit të një vendi nën përgjegjësinë franceze rrezikon të minojë lidhjet që kisha ardhur për të ushqyer me Izraelin në një kohë kur ne të gjithë duhet ta çojmë rajonin përpara në rrugën e paqes”, tha Barrot.
Ambasadori izraelit në Paris do të thirret në ditët në vijim, tha në një deklaratë ministria e Jashtme franceze.
Marrëdhëniet diplomatike midis Francës dhe Izraelit janë përkeqësuar që kur Presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje për vendosjen e embargos së armëve sulmuese dhe i kërkoi Izraelit të ndalojë sulmet në Liban dhe të përqendrohet në diplomaci.
Klan News