Shqipëria nuk do të jetë arenë e skenarëve të frikshëm që Banka Botërore parashikon të ndodhin si pasojë e krizës së produkteve ushqimore. Megjithatë ekspert të ekonomisë thonë, se në vendin tonë rritja e çmimeve kërcënon dukshëm shtresën më të varfër.

Ardian Civici: “Për zona si Ballkani ku futet dhe Shqipëria natyrisht që nuk shtrohet problemi për kriza ushqimore apo për lufta civile, siç thuhet në raportin e Bankës Botërore, po thjesht për vështirësi që do lindin në përballimin e nevoja ushqimore dhe çmimin e tyre nëpër Shqipërinë është dhe një faktor pozitiv për momentin duke qenë se kemi rreth 45-50% të popullsisë në zonat rurale dhe një përqindje shumë të madhe autokonsumi, kjo konsiderohet si një lloj amortizatori.”

Anastas Angjeli: Me të vërtetë është bërë një krizë që ka pleksur krizën energjetike, krizën e sistemit dhe të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe ajo që është më e rëndësishme krizën e ushqimeve ose që njihet ndryshe kriza e rritjes së çmimeve ushqimore. Rritja dhe kompleksiteti i kësaj krize padyshim që e shton ndikimin në ekonominë shqiptare, prek shtresat më në nevojë, pensionistët dhe ata me të ardhura më të ulëta.”

Por si mund të zbutet kjo krizë në kushtet e vendit tonë? Ekspertët tregojnë me gisht bujqësinë. 

Ardian Civici: “Në qoftë se do të marrim masa efektive duke i ridhënë bujqësisë dhe agroindustrisë rëndësinë që meriton unë besoj që minimalisht ne mund ta dyfishojmë prodhimin e brendshëm bujqësor sot. Dyfishimi i prodhimit vendas do të ishte një faktor i rëndësishëm për eksporte me çmime të larta çka do na rregullonte dhe bilancin tregtar edhe bilancin e pagesave.”

Anastas Angjeli: “Duke vlerësuar që ekonomia shqiptare përgjithësisht është një ekonomi që varet tërësisht nga importet në përgjithësi, pra e importeve neto dhe duke vlerësuar gjithashtu se kriza globale e ushqimeve do të zgjasë deri rreth viteve 2015, atëherë duhet të merren masa sidomos në politikat ekonomike, në politikat bujqësore, në politikat tregtare dhe në politikat fiskale./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguri