Bashkia e Tiranës nën nismën “Dua të luaj” ka përfunduar ndërtimin e një sheshi për fëmijët brenda blloqeve të banimit “Partizani”.
Hapësirat e krijuara do të shërbejnë si vende çlodhëse dhe argëtuese për të vegjlit.
Sipas kryetarit të bashkisë, Edi Rama, do të ndërtohen 100 kënde të tilla dhe me fitoren e zgjedhjeve në datën 28 Qershor qeveria nuk do të jetë më vetëm në funksion të politikave të mëdha kombëtare, por edhe në shërbim të jetës komunitare në qytet.
Edi Rama: “Me fitoren e 28 Qershorit dhe me vënien në dispozicion të qeverisë jo vetëm në funksion të politikave të mëdha kombëtare, por edhe të jetës komunitare në qytetet tona ne do të bëjmë një transformim rrënjësor të situatës në blloqet urbane të Tiranës dhe të qyteteve të tjera duke iu dhënë komuniteteve të vogla të çdo blloku kënde të tilla, të cilat janë kaq të rëndësishme dhe kaq të domosdoshme për bashkëjetesën qytetare”.
Sheshi do të përmbajë hapësira të gjelbëruara, gropa rëre për të luajtur fëmijët dhe sipërfaqe të shtruara për kalimtarët, si dhe shumë pemë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani