Superstrada Milot-Fushë-Krujë e cilësuar edhe si “rruga e vdekjes” nuk do të jetë më e tillë. Kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin për nisjen e punimeve për dublimin e saj në katër korsi, në kryqëzimin e Patogut nga ku ka garantuar se ajo do të jetë një rrugë e sigurt që nuk do të marrë më jetë njerëzish.
Sali Berisha: “Ju uroj sot gëzuar ju dhe mbarë shqiptarëve ditën e parë të demokracisë, ditën e parë të 22 marsit. Sot jemi mbledhur për të inauguruar së bashku shndërrimin në autostradë me 4 korsi të segmentit të autostradës që lidh Shkodrën me Vlorën, lidh Kurbinin me Tiranën të arteries kryesore të Shqipërisë. Sot ne gjithashtu inaugurojmë punimet për shtrimin në 4 korsi dhe krijimin e sigurisë të shkallës më të lartë në një rrugë, në një autostradë që për aksidente është bërë lënduese. Ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë Shqipëria do të jetë vendi i rrugëve më të shkurtra.”
Dublimi i segmenti Milot-Fushë Krujë, pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë është një investim me vlerë 50 milionë euro. Në këtë rrugë prej 9 lotesh do të dublohen 13 kilometra, duke përfshirë korsinë e emergjencës, urat ekzistuese, mbikalimet dhe nënkalimet. Superstrada me gjerësi 26 metra do të përfundojë në mars 2010. Ndërkohë që priten të dublohen edhe akset drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit e Tiranës.
Gjatë takimit në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” kreu i qeverisë Berisha i bëri thirrje banorëve të shkojnë dhe të marrin letërnjoftimet elektronike dhe të mos dëgjojnë deklaratat e socialistëve, që përpiqen t’i nxjerrin këto dokumente të pavlera.
Sali Berisha: “Nga sot ka ata të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’u bëjmë me dokumente të reja identiteti dhe nuk u bën dot kurrë. Unë u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, ta marrin dokumentin e ri me të cilin ka 1 dhe 1 mijë arsye që secili nga ju, secili nga ne këtu do ndjehet krenar. Orën ju nuk e ktheni mbrapa pse duan të tjerët, ora juaj është djathtas, majtas do të thotë prapa.”
Duke sjellë në vëmendje të pranishmëve arritjet e qeverisë së tij, kryeministri Berisha tha se rrogat e shqiptarëve janë 30% më të larta se ato të bullgarëve dhe rumunëve ndërsa në vitet që vijnë synohen standardet e BE-së.
Sali Berisha: “Rritje e madhe e rrogave e pensioneve sikundër këto 4 vite, por më e fuqishme është tjetër platformë e qeverisë sime. Kush nga ju mendon se 4 vjet më parë se sot shqiptarët do të merrnin 30% të rrogave e pensioneve më shumë se bullgarët dhe rumunët. Shumë të paktët ishin ata që besonin ose mendonin këtë, por ne sot e kemi shtruar në realitet. Ajo çka unë do t’iu them ju këtu, se në mandatin e dytë ne do synojmë të kapim vende shumë më të zhvilluara të BE-së në rroga dhe pensione.”
Më tej kreu i ekzekutivit i premtoi banorëve se në rrugën e saj të së ardhmes qeveria që ai drejton do të ketë prioritet të platformës së saj edhe reformën në shëndetësi./tvklan.al
Gazetare: Xhumelina Dervishi