Kryeministri Edi Rama do të jetë mbrëmjen e kësaj të enjteje i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Televizionin Klan. Vetë Kryeministri, në një postim në rrjetet sociale zbulon temat për të cilat pritet që të flasë përballë një paneli gazetarësh.
“Sonte në “Opinion” mbi operacionin ndaj pasurive të vrasësve, trafikantëve të drogës, shfrytëzuesve të vajzave dhe ligjin e aprovuar dje për pezullimin nga detyra dhe hetimin e figurës e të pasurive të pjesëtarëve të organizatës kriminale “kap ça tkapësh” (KÇK) në sistemin gjyqësor të Shqipërisë“, shkruan Rama.
“Kush do të dijë cilët kap Ligji Special i pasurive kriminale; ku ndryshon thelbësisht pasuria e tyre nga pasuria e njerëzve të zakonshëm apo sipërmarrësve të vegjël a të mëdhenj, që kanë fshehur të ardhura nga puna e tyre gjatë tre dekadave të fundit; pse Operacioni Forca e Ligjit u shërben këtyre të fundit dhe mbi të gjitha Shqipërisë që duam; pse OFL nuk merret me “Surrelin”, “Gjirin e Lalëzit” apo “Parlamentin”; pse ky operacion nuk nisi më parë gjatë 6 viteve e gjysmë të mandatit tonë qeverisës e me radhë, përgjigjet e mia për të gjitha kundërshtitë e shfaqura ndaj këtij përshkallëzimi ekstrem të LUFTËS SË SHTETIT ME KRIMIN, le të më ndjekë sonte këtu, në ekranin e ERTV apo në ekranin e Tv Klanit, në 21:00, përballë Fevziut dhe panelit të analistëve të tij“, e mbyll Kryeministri postimin e tij./tvklan.al