Nën tingujt e himneve të dy shteteve të pavarura shqiptare, Hashim Thaçi, ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër i shtetit të ri të Kosovës në Tiranë.
Takimi i parë historik dhe i shumëpritur prej afro një shekulli, siç do ta cilësonte kryeministri Berisha, i është rezervuar këtij të fundit me të cilin ka nënshkruar dhe një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve duke konfirmuar edhe një herë përpara shqiptarëve, brenda dhe përtej kufijve, por dhe ndërkombëtarëve se nuk do të ketë bashkim të dy shteteve shqiptare, por vetëm një identitet kombëtar.
Hashim Thaçi: “Duhet bërë dallimi në mes identitetit shtetëror dhe atij kombëtar. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, por si shqiptarë jemi një komb, kemi një gjuhë, kemi një kulturë, prandaj Kosova po formësohet në kuptimin e plotë si shtet edhe me simbolet e veta. Në të njëjtën kohë në Kosovë do të respektohen të gjitha festat kombëtare të të gjitha komuniteteve dhe dita e 28 Nëntorit, dita e Flamurit, që do të festohet në Tiranë, do të festohet dhe në Prishtinë si dita e shqiptarëve”.
Sali Berisha: “Kësaj pyetje përgjigjen përfundimtare i ka dhënë pavarësia e Kosovës.”
Thaçi ka falënderuar shqiptarët dhe qeverinë tonë për mbështetjen e fuqishme që i kanë bërë çështjes kosovare duke e njohur këtë dhe si një meritë të drejtpërdrejtë të pavarësisë që u arrit në 17 Shkurt.
Hashim Thaçi: “Me mbështetjen tuaj personale të qeverisë suaj, të politikës së Shqipërisë, kudo. Edhe në Tiranë, kudo që është prezent Shqipëria. E di se ishte prezent edhe Kosova, çështja e Kosovës. Do të dua të theksoj se liria dhe pavarësia e Kosovës ndërlidh drejtpërdrejt me kontributin të Shqipërisë, prandaj shteti i Kosovës, populli i Kosovës është mirënjohës dhe falënderon shtetin shqiptar, juve personalisht, të gjithë politikën shqiptare dhe popullin e Shqipërisë”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp dy kryeministrat kanë folur dhe për projektet e rëndësishme dypalëshe, ku padyshim lëvizja e lirë dhe e shpejt e qytetarëve të dy shteteve të pavarura do të bëhet e mundur me përfundimin e një investimi strategjik të dy qeverive për ndërtimin e rrugës historike Durrës-Kukës-Prishtinë.
Sali Berisha: “Projekti i parë është aorta e kombit, në të cilën po punohet nga Morina në Durrës. Kam shumë kënaqësi për lajmin e gëzueshëm që mora nga kryeministri Thaçi se janë në finalizim të procedurave për të nis së shpejti punën e trajektores Vërnicë-Merdare dhe ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”.
Hashim Thaçi: “Ne do të vazhdojmë me projektin madhor të autorrugës Durrës-Kukës-Morinë. Është diçka që do t’i afrojë të dy kryeqytetet tona dhe qytetarët tanë”.
Si projekte të tjera të rëndësishme dypalëshe Berisha dhe Thaçi përmendën ato në fushën energjetike, por dhe në fusha të tjera.
Sali Berisha: “Në Kosovë do të ndërtohet një termocentral gjigant, Kosova C. Ne po shqyrtojmë mundësinë krahas qenies aksionerë tek Kosova C, të shqyrtojmë mundësinë e një burimi të ri energjetik të përbashkët tek më modest 4-500 megavat.”
Hashim Thaçi: “Ne do të investojmë si qeveri në shumë drejtime, por para së gjithash kemi diskutuar për projekte konkrete në porte…”/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka