Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u prit këtë të hënë në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në takimin e veçante me kreun e Vatikanit, e shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjte, zonja Majlinda Frangaj, kryetarja e Kuvendit i shprehu shenjtërisë së tij një falenderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit, solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes dhe për dashurinë e tij për Shqipërinë, e cila i ka dhënë botës Shën Terezën.

Spiropali e falenderoi edhe për bekimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, për kujdesin e veçantë për besimtarët dhe bashkëjetesën e tolerancën fetare në vendin tonë, të cilën Ati i Shenjtë e ka vlerësuar si “Një trashëgimi historike të njerëzimit”.

Vatikan News raporton se kryeparlamentarja mori pjesë edhe në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e 10-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ceremoni e zhvilluar pranë selisë së Filmotekës së Vatikanit.

Me rastin e përkujtimit të kësaj vizite historike të Atit të Shenjtë foli Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj, Kryeparlamentarja Spiropali, kardinali shqiptar Ernest Simoni, si dhe gazetari i gazetës “Avvenire”, Mimmo Muolo ndërsa për të pranishmit u shfaq edhe filmi “Pritja” me regjisor Roland Sejkon.

10 vjet më parë Papa Françesku zhvilloi në Shqipëri të parë vizitë jashtë Vatikanit pas marrjes së detyrës. Ati i Shenjtë u prit nga mijëra njerëz në rrugët e Tiranës teksa këtë vizitë ai e ka përmendur shpesh për shkak të mesazheve që përcolli.

Tv Klan