Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, e ka festuar 64-vjetorin e Çlirimit. Me rastin e kësaj dite bashkia e Tiranës organizoi një ceremoni përkujtimore në sheshin më të ri pranë Ushtarit të Panjohur.

Përpara qindra veteranëve, pjesëmarrës në luftën antifashiste nacional-çlirimtare, të afërmve të të rënëve, kreu i bashkisë, Edi Rama, falënderoi veteranët për sakrificat, duke i cilësuar idealet e tyre të patjetërsueshme për Evropën e bashkuar.

Edi Rama: “Sot jetojmë në një botë kërcënimesh të reja dhe përsëri sot ne aleatët, miqtë dhe partnerët e duhur e kjo pa dyshim, nuk është pa lidhje, në historinë që ju shkruat, me vendin që ju i dhatë Shqipërisë. Faleminderit njëmijë herë për dëshminë dhe praninë tuaj në këtë jetë të përbashkët dhe më lejoni t’ju siguroj se pa as më të voglin dyshim do të mbetet një pikë e ndritshme referimi”.

 Dita e Çlirimit të Tiranës ka mbetur në mendjen e atyre që luftuan si të kish ndodhur një ditë më parë.

“Unë kam qenë në brigadën e tetë. Kemi pasur rrugën Barrikada. Brigada e parë ka qenë tek Pallati i Brigadave. Na vinte gjermani nga Elbasani, nga Korça edhe ai priste atje, ua dogji makinat krejt. U bë shesh.”

“Këtu ishin grumbulluar shumë brigada. Në të gjithë anët e Tiranës ishte futur gjermani në mes, ashtu, dhe nuk mund të dilte dot në bulevard patrulla gjermane se partizanët kishin hyrë nëpër shtëpitë e Tiranës dhe nuk e linin që të qarkullonte. U bë një betejë e madhe sepse kishte fuqi të madhe këtu, edhe armatim kishte të madh.”

Në përkujtim të partizanëve të rënë u vendosën kurora me lule në bustin e “Ushtarit te panjohur”, memoriali që simbolizon gjithë të rënët në luftën për çlirimin e kryeqytetit në 17 Nëntor 1944./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami