Kryetari i PS Edi Rama ka qenë në fshatrat e Skraparit në Vëzhezhë dhe në Veladisht të Beratit. Gjatë takimeve me banorët e këtyre fshatrave në kuadër të prezantimit të programit të ri për Shqipërinë, Edi Rama ka vënë theksin, se PS në qeverisje pas 28 qershorit do të ngrejë një ministri të zhvillimit rural, pasi socialistët nuk mund ta lënë më fshatin të injoruar dhe të pa integruar në zhvillimin e vendit.
Edi Rama: “Ne do të bëjmë hapin e parë, një ndryshim radikal qysh në formimin e qeverisë. Ne do të ngremë një ministri të posaçme vetëm për fshatin, sepse ne mendojmë që fshati nuk është thjesht bujqësi, fshati nuk është thjesht një rrugë për të dalë në xhadenë kryesore. Fshati është një pjesë e pandashme e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme e Shqipërisë.”
Duke i dhënë politikës një përmasë qytetare u shpreh Rama, nuk mundet të ndryshojë politika në vend dhe ky është misioni që ka marrë përsipër PS.
Edi Rama: “Një politikë që nuk frymëzon asgjë tjetër përveç se ambiciet personale, për një copë karrige ministri apo deputeti nuk mund të jetë një politikë që mund t’u japë fëmijëve një bankë ku të ulen dhe një libër ku të lexojnë. Ne i kemi të gjitha ato që na duhen, e vetmja gjë që na mungon është politika që këto pasuri ti kthehen në një fuqi zhvillimi dhe mirëqenie për njerëzit. Këtë politikë ne mund ta bëjmë duke u bashkuar.”/tvklan.al