Fatmir Hodaj, kryetari i njësisë administrative në fshatin Kotë të Vlorës u vra nga një bashkëfshatar i tij, pas një sherri në lokalin e fshatit.
64-vjeçari u qëllua me çifte nga Admir Delaj për arsye ende të paqarta. Viktima dhe autori mësohet se kishin debatuar teksa po konsumonin alkool në lokalin e fshatit. Më pas Delaj mori armën e gjahut dhe ia drejtoi Hodajt, duke e lënë të vdekur në vend.
Autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa në ndjekje të tij u vunë forca të shumta policore. Ai u vu në pranga një orë pas ngjarjes.
Delaj u kap në dalje të banesës në fshatin Gumenicë ku kishte mbyllur edhe makinën me të cilën po tentonte të largohej. Në shtëpinë e autorit u gjet edhe një tjetër armë gjahu pa leje. Sherri mes tij dhe kreut të njësisë administrative dyshohet se ka qenë për motive të dobëta.
Tv Klan