Gentian Zenelaj u shpreh në “Kampionët” në Tv Klan se duhet treguar kujdes me presionin që po i ushtrohet kombëtares kuq e zi. Sipas aktorit, duhet që djemtë ta shijojnë lojën dhe njëkohësisht të mos përjetojnë ndjesinë se gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë varet në duart e tyre.
Gentian Zenelaj: Ajo që do të doja të thoja është që ne duhet të bëjmë shumë kujdes me trysninë e madhe që po i shkaktojmë kombëtares. Ne nuk duhet t’i varim kombëtares tonë fatet e kombit, fatet e atdheut. Nëna Shqipëri do t’i zgjidhë vetë hallet e veta. Ne atyre çunave duhet t’ua ulim pak trysninë, presionin dhe duhet që ata të shijojnë lojën, gjë që nuk ndodhi në ndeshjen e parë, por ndodhi mrekullisht në ndeshjen e dytë me Kroacinë, ata shijuan futbollin, shijuan lojën.
Duke iu drejtuar presidentit të FSHF-së, Armand Dukës, aktori shtoi se duhet injektuar mentaliteti i fitores te lojtarët. Gjithashtu Zenelaj i tha Dukës se kombëtarja duhet ruajtur nga nacionalizmi i tepruar, e ky i fundit s’duhet ngatërruar me patriotizmin.
Gentian Zenelaj: Unë mendoj, zoti Duka duhet të bëjmë shumë kujdes, ta ruajmë kombëtaren nga nacionalizimi i tepruar se nuk na bën mirë, këtu po flas edhe për dy deklaratat e futbollistëve shqiptarë në momentin që kanë marrë megafonin, që për mendimin tim nuk është mirë. Mos e ngatërroni atdhedashurinë dhe patriotizmin me nacionalizmin. Kroatët e kanë nxjerrë me kohë nga sistemi nacionalizmin e tepruar dhe po ta shikosh, e shijojnë më shumë futbollin, nëse ma lejon si sugjerim. Duhet të bëjmë kujdes që kombëtarja jonë mos të jetë pika ku shkarkon gjithë stresi i këtij vendi sepse nuk i bën as atyre mirë. Tifozeria jonë e tregoi një qytetari të jashtëzakonshme, unë e kam thënë çdo natë në këtë studio, ka treguar një europianizëm për t’u pasur zili, sot pashë pamje të tifozerisë serbe që përleshje për të disatën herë apo tifozeritë angleze. Ne e treguam qytetarinë tonë. Unë mendoj që në kompeticionet e tjera që do të marrim pjesë, mendimi im personal, nuk jam ekspert futbolli, nëse ne arrijmë ta shkarkojmë pak këtë trysninë e madhe që i japim djemve shqiptarë, sikur janë varur fatet e kombit unë mendoj që kombëtarja do të jetë shumë e relaksuar dhe do të luajë shumë më mirë futboll. Z. Duka, meqë të kam përballë, a mund të të bëj një pyetje se kam nevojë ta nxjerr nga sistemi se po s’e thashë do të djeg ndonjë qark: si do të zgjidhet kjo puna e biletave?
Përgjigjja e presidentit të FSHF-së ishte se e gjithë kjo është populizëm. Sipas tij, të gjitha këto elementë që renditi Zenelaj, janë pasoja të tifozerisë.
Armand Duka: Po bën thjesht populizëm se po thua mos t’ia shtojmë presionin kombëtares, t’ia heqim nacionalizmin kombëtares dhe pastaj thua që tifozllëku ynë ishte i mrekullueshëm, mori notën 10 dhe unë them të njëjtën gjë. Por në fakt, presionin kombëtares, nacionalizmin e tepruar kombëtares ia japim po ne, unë ti dhe gjithë tifozët e tjerë, me gjithë simbolet tona kombëtare që mundohemi dhe që mbase e kemi të vetmin vend ku mund t’i shprehim, prandaj e bëjmë. Asnjë nga ata që kanë ardhur atje nuk kanë menduar që i shton presionin komëbtares me nacionalizmin, por ka menduar që e ndihmon dhe faktikisht kështu duhet të jetë.
Sa u përket biletave, për të cilat Zenelaj tha se hera e fundit që mbante mend të kishte blerë një të tillë ishte kur shiteshin në kioskat pranë stadiumit “Dinamo” dhe s’ka patur më shanse për të gjetur online, Duka vuri pikat mbi “i: “E njëjta gjë do të jetë, online do t’i kesh, nuk ka më te kioskat”./tvklan.al