Duro: Ndeshje deçizive; Egbo: Kam besim te skuadra
Në letër shihet si ndeshja përcaktuese për titullin ajo mes Kukësit dhe Tiranës.
Është një sfidë direkte ku të dyja duan fitoren, më së shumti, për moralin e skuadrës. Trajneri Shpëtim Duro gjithsesi tenton të ulë presionin e futbollistëve të tij.
“Normalisht, sa ka kaluar gjysma e kampionatit. Është një ndeshje e rëndësishme, do ndikojë shumë në aspektin moral, por për titullin nuk do të jetë deçizive. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund, së bashku me Partizanin. Çdo ndeshje ka historinë e vetë dhe pse ne kemi fituar ndeshjet me lojë e rezultat. Nuk ka favoritë kjo ndeshje për të qenë realist”.
Pas barazimit me Skënderbeun, Emanuel Egbo kërkon nga futbollistët e Tiranës që të vënë shpirtin në fushë në ndeshjen e së premtes me Kukësin
“Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë, atë duhet të bëj ekipi im. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim. Ekipi ka krijuar një identitet që dhe barazimin e quan një rezultat jo të mirë. Kam besim te grupi, dhe çdo lojtar që futet kam besim se do japë maksimumin. Me ndihmën e Zotit do marrim atë që meritojmë”.
Një ditë para ndeshjes janë shitur rreth 3 mijë bileta. Burime pranë klubit të Kukësit thanë se parashikohet të shiten rreth 8 mijë deri pak minuta para fillimit të takimit. Kukësi – Tirana do të luhet në ‘Air Albania’ në orën 18:00.
Tv Klan