Të shtunën e kaluar në ekranin e Tv Klan u transmetua premierë edhe episodi i fundit i sezonit të 5-të të serialit më të ndjekur në shumë vende të botës, “Ertugrul”. Që prej asaj dite të shumë kanë qenë shikuesit që kanë pyetur se kur do të fillojë sezoni i ri dhe a do të transmetohet sërish në ekranin e Tv Klan?
Këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje drejtori i programacionit në Tv Klan, Albert Dumani, gjatë një interviste me Rudina Magjistarin në emisionin “Rudina”.
“Në fakt, sapo ka përfunduar sezoni i 5-të dhe presim që në Dhjetor të fillojë transmetimin sezoni i 6-të, në shtator fillojnë xhirimet. Do të ketë edhe sezon të gjashtë dhe është zgjedhur protagonist një nga meshkujt më të famshëm në Turqi, që është Burak Ozçivit. Do të fillojë historia e Osmanit tashmë, djalit të Ertugrul. Ai që themeloi Perandorinë Osmane, perandorinë më të madhe të kohës. Pra fillon epoka e Osmanit, si ai që do të themelojë këtë perandori. Besojmë që shumë shpejt, sapo të nisë transmetimin në Turqi të jetë premierë absolute edhe në Tv Klan”, tha Dumani.
Dumani, pasi foli për të gjitha serialet që aktualisht transmetohen premierë në Tv Klan dhe Klan Plus, u pyet nga moderatorja Rudina Magjistari për serialin më të ndjekur në ekranin më të madh të shqiptarëve.
Rudina: Cilin mund të konsiderojmë si serialin më të suksesshëm të këtij sezoni?
Dumani: Pa dyshim që është “Ertugrul”. Në fakt është hera e parë që një serial përmbyll sezonin e tij të 5-të, zakonisht kemi që serialet turke zgjasin 2-3 vjet dhe e mbyllin ciklin e tyre, por “Ertugrul” nisur edhe nga suksesi ka qenë absolutisht numri një në Turqi, por edhe në shumë vende të tjera. Është absolutisht një nga serialet më të shitura dhe normalisht edhe në Shqipëri ka qenë në çdo natë të transmetimit në shifra rekord audience. Rikthehet ajo periudha e famshme si në kohën e “Ezel”, kur përpara se të fillojë ndeshja, sidomos ditëve të shtuna, në ekranin e madh burrat shikonin “Ertugrul” dhe pastaj fillonte ndeshja. /tvklan.al